Blind Taste| Java 5| Puntata 4, Receta oktapod e sepje me bathë të përpunuar & mousse me kumbulla

2016-05-19 10

Oktapod e Sepje me bathë të përpunuar
1. Në një tenxhere ziejmë duke shtuar një kokërr qepe, 2-3 dafine, pak kripe, oktapodin dhe sepjen. Kujdes se ndoshta nuk ziejnë në të njëjtën kohë.
2. Pasi kemi shpëlarë bathët i vendosim me gjysëm kokërr qepe të prerë hollë dhe i ziejmë tek numri 4-5 i pjanurit. Shtojmë ujë deri sa të shohim që bathët të jenë bërë plotësisht. Sigurisht për zierjen do duhen 10-12 minuta. Kur të jenë zierë plotësisht, masën e kalojmë në blender. Pasi e kemi kaluar e zbrazim në një tigan dhe kur ta shërbejmë i shtojmë kripë e vaj ulliri duke e përzier vazhdimisht me lugë. Pureja e përftuar duhet të jetë relativisht e lëngshme.
3. Pasi të jenë zierë oktapodi dhe sepja i ftohim dhe i presim hollë. Në një tigan shumë të nxehtë me pak vaj kaverdisim oktapodin dhe sepjen , në fund shtojmë xhinxherin e prerë hollë, piper të kuq.

MOUSSE ME KUMBULLA
Ziejmë me 200 ml ujë , 100 gr sheqer, gjysëm limoni të prerë në katër copa, kumbullat e thata, kanellë, për 10 minuta në pjanur tek numri 5. Më pas heqim kumbullat e limonat për ti ftohur. Ziejmë lëngun duke e reduktuar deri sa të përftojmë një salcë pak të trashë.
Në një enë përziejme 100 ml salcë kosi me 100 ml pana pastiçerie. E punojmë me tel kuzhine deri sa të lidhen bashkë. E shërbejmë në një gotë martini duke e hedhur mbi të arra.